Bashkia e Bulqizës

Forumi i parë

Më datë 10 Maj në qytetin e Bulqizës u organizua forumi i hapur për Politikat Integruese në Qytetin tim ku u diskutua mbi temat si në vijim:
a) Kushtet e punësimit në miniera të grave dhe fëmijëve;
b) Bonuse të mundshme ekonomike dhe sociale që mund ti jepen grave në nevojë;
c) Respektimi i të drejtave të punonjësve;
d) Statusi i minatorit, detyrimet e qeverisë qëndrore dhe lokale.

Ky aktivitetet u zhvillua në kuadër të Javës për Demokraci Vendore të organizuar nga LevizAlbania. Aktiviteti ishte konceptuar si një përballje ndërmjet të zgjedhurve (deputeti i zonës së Bulqizës Z. Përparim Spahiu dhe Kryetari i Bashkisë Z. Melaim Damzi) me zgjedhësit si dhe me një grup ekspertësh mbi tematikat e përzgjedhura. Gjatë aktivitetit, diskutimi u përqëndrua kryesisht në kushtet e punësimit në miniera të grave dhe fëmijëve si dhe ndihma e mundshme ekonomike dhe sociale që mund ti jepet grave në nevojë.

Publiku ishte shumë aktiv dhe disa nga çështjet e debatuara kryesore u lidhën me:
a) Statusin e Minatorit; Në përgjigjen e tij Z. Spahiu shpjegoi se në kuvend është paraqitur një projekt-ligj i posatshëm për Statusin e Minatorit, i cili mbron këtë kategori punonjësish përsa i përket pagave minimale, sigurisë në punë dhe trajtimit financiar. Ligji fatkeqësisht nuk është miratuar. Pavarësisht se ky ligj do të kishte shumë benefite për kategorinë e minatorëve, asnjë manifestim apo protestë nuk është organizuar nga ana e tyre në momentin kur ky ligj nuk u miratua. Ky lloj mosorganizimi dhe inaktiviteti u cilësua si një aspekt negativ i cili duhet të ndryshojë në të ardhmen.

b) Puna e grave dhe fëmijëve në miniera; Në këtë pikë Z. Spahiu dhe Z. Damzi ishin në dakordësi në mendimet e tyre përsa i përket ndalimit kategorisht të punës së fëmijëve në miniera. Kjo praktikë është e jashtë ligjshme pasi ligji nuk e lejon punën e rëndë për fëmijët. Gjithsesi parandalimi i këtij fenomeni nuk mund të bëhet në mënyrë ‘’policore’’ pra me roje nëpër kantiere dhe miniera por duke dhënë një ndihmë ekonomike për ato familje në nevojë si dhe duke rritur aktivitetet jashtëshkollore (si psh. aktivitete sportive dhe kulturore) në mënyrë që fëmijët të largohen nga rruga dhe nga puna.

Një tjetër pikë që u ngrit nga publiku për këtë çështje ishte nxjerrja e statistikave dhe numrave konkret të fëmijëve që largohen nga shkolla dhe që punojnë në miniera. Nuk ka një databazë të ngritur nga asnjë Institucion apo OSHC të tjera. Ky element është i rëndësishëm pasi kur ky shqetësim përcillet në organet e qeverisjes qëndrore në Tiranë përgjigja është gjithmonë “këto janë raste sporadike, nuk është një problem i përhapur’’. Në mënyrë që të rritet angazhimi i qeverisjes qëndrore në lidhje me këtë problematikë është e nevojshme të kryhet një studim konkret me numra dhe statistika reale. Shkollat dhe institucionet arsimore kanë një rol kryesor përsa i përket nxjerrjes së këtyre statistikave.

Ndërsa përsa i përket punës së Grave në miniera, përsëri të dy të ftuarit, Z. Spahiu dhe Z. Damzi ju rikthyen temakitës së ligjit për Statusin e Minatorit i cili do të ndihmonte të gjitha kategoritë në fjalë përfshirë këtu femrat dhe meshkujt.

c) Temë tjetër e cila u trajtua nga të pranishmit por që nuk ishte parashikuar në axhendë ishte Bujqësia. Të ftuarit, duke shfrytëzuar mundësinë e këtij takimi dhe praninë e dy personaliteteve të larta ngritën për diskutim nevojën që zona e Bulqizës dhe rrethinat e saj kanë për mbështetje të sektorit bujqësor. Sidomos kërkohet një vëmendje më e madhe dhe një investim serioz për çështjet e transportit, pikave të grumbullimit të cilat të përmbushin parametrat e BE, vaditja etj.

Gjatë sesionit të dytë të aktivitetit ishin të ftuar lektorët Znj. Elda Zotaj, Eksperte e shkencave sociale dhe barazisë gjinore dhe Z. Endrit Dajçi, Ekspert i kodit të punës dhe kodit civil.

Forumi i dytë

Më datë 06 Qershor 2018 organizata TED në bashkëpunim me Organizatën SHERM organizuan forumin e hapur në qytetin e Bulqizës me temë “Bulqizën e Dua të Pastër nga Mbetjet Urbane”. Në këtë aktivitet morën pjesë 40 persona.
Ky takim u zhvillua në shkollën “Shefqet Tançi” dhe tema kryesore ishte mjedisi. Gjatë prezantimit të tij përfaqësuesi SHERM bëri një ekspozim të plotë të llojeve të ndotjeve që rrezikojnë qytetin e Bulqizës dhe rrethinat. Disa nga çështjet kryesore të diskutuara në këtë forum nga pjesëmarrësit janë ndotja nga industria minerare. Kjo industri shkakton ndotje të tokës, ujit dhe ajrit në këtë zonë prandaj është i nevojshëm një kontroll më i madh i institucioneve publike qëndrore në mënyrë që legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit dhe ndotjen të zbatohet me përpikmëri nga ato subjekte që zhvillojnë aktivitetin e tyre në zonën e Bulqizës. Fatkeqësisht deri më sot është vënë re një neglizhencë totale e organeve ligjzbatuese në këtë drejtim.
Gjithashtu gjatë takimit u diskutua edhe për ndotjen që shkaktohet nga mbetjet urbane. Në këtë pikë u trajtua gjërësisht ndikimi që gjithësecili nga ne ka në mjedisin që e rrethon. U theksua nevoja e të qenurit të kujdesshëm në detaje të vogla, si psh. hedhja e mbeturinave në vënde të caktuara apo edhe riciklimi. Në lidhje me ndotjen nga mbetjet urbane u arrit në përfundimin që fushata informuese/sensibilizuese do të ishin në dobi të komunitetit. Në mënyrë simbolike u organizua dhe një pastrim vullnetar i zonës përreth shkollës nga mbetjet kryesisht plastike dhe letra.
Përfaqësuesit e organizatës TED dhe SHERM së bashku me nxënësit e shkollës diskutuan mundësinë për ripërsëritjen në shkallë edhe më të gjërë të aktiviteteve vullnetare me qëllim pastrimin e zonave urbane ku banojnë si dhe të zonave natyrore në rrethinat e Bulqizës.